“Vetëm Rama jashtë dyerve të SPAK” – Klodiana Lala bën bilancin e 2025: Dosjet Veliaj dhe Balluku tronditën politikën

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një analizë të fortë të punës së Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025, duke e cilësuar këtë vit si një nga më domethënësit në përballjen e politikës shqiptare me drejtësinë.

E ftuar në News24, Lala theksoi se dy dosjet më të rëndësishme dhe më tronditëse të vitit ishin ajo e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sipas saj, këto dy çështje shënuan një kthesë të fortë në perceptimin publik për SPAK-un dhe vullnetin për të hetuar zyrtarë të nivelit të lartë.

“Shqiptarët janë të etur të shohin ndëshkimin e zyrtarëve të lartë. SPAK bëri dy lëvizje shumë të guximshme këtë vit: arrestimin e Erion Veliajt, i pari kryebashkiak në detyrë që përfundon në pranga, dhe marrjen si të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një veprim që kapi në befasi edhe vetë mazhorancën”, u shpreh Lala.

Ajo vuri në dukje se, ndonëse disa persona të afërt me Ballukun ishin nën hetim më herët, emri i saj nuk ishte përfolur seriozisht deri në muajt e fundit të vitit. Sipas Lalës, për rreth tre muaj, media dhe politika janë fokusuar pothuajse ekskluzivisht te kjo dosje, duke e kthyer atë në një nga temat më të nxehta të vitit.

Gazetarja përmendi gjithashtu si ngjarje shumë të rëndë goditjen e një grupi kriminal brenda AKSHI-t, shpalljen në kërkim të biznesmenëve Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, si dhe vendosjen në arrest shtëpie të drejtoreshës Mirlinda Karçanaj. Po ashtu, ajo rikujtoi vijimin e përballjes me drejtësinë të figurave si Sali Berisha, Ilir Meta dhe Olta Xhaçka, si dhe rikthimin në vëmendje të çështjes së 21 Janarit.

Në përfundim, Klodiana Lala bëri një konstatim që ngjalli debat të fortë publik:

“Deri më tani, i vetmi që nuk e ka kapërcyer pragun e SPAK është kryeministri Edi Rama”.

Sipas saj, Prokuroria e Posaçme do të mbetet kryefjalë edhe në vitin 2026, për shkak të dosjeve të mëdha që ka në duar dhe pritshmërive të larta të opinionit publik për drejtësi reale ndaj pushtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related