Nën presionin e hetimeve të SPAK dhe akuzave për megaafera që përfshijnë emra të rëndësishëm të qeverisë, kryeministri Edi Rama duket se ka nisur të kërkojë fajtorë brenda radhëve të Partisë Socialiste. Në një dalje publike pas mbledhjes së grupit parlamentar, ai ka pranuar hapur se Ministria e Punëve të Jashtme është një dështim i madh, duke goditur drejtpërdrejt një nga figurat kryesore të PS, Elisa Spiropalin.
Rama deklaroi se institucioni nuk është përshtatur kurrë me sfidat aktuale dhe se nuk ka kaluar asnjë reformë të vërtetë ndër vite. Sipas tij, edhe ndryshimet ligjore të bëra më parë nuk kanë qenë gjë tjetër veçse “makiazh”, pa prekur thelbin e problemeve.
Kryeministri e krahasoi Ministrinë e Jashtme me Televizionin Publik Shqiptar, duke i cilësuar të dyja si institucione të dështuara. Ai u shpreh se gradat dhe struktura janë “marrë peng”, ndërsa diplomacia shqiptare nuk reflekton potencialin e diasporës dhe as peshën e saj elektorale.
Deklaratat e Ramës shihen si një sinjal i qartë përçarjeje brenda mazhorancës, në një moment kur qeveria përballet me kriza të shumta dhe rritje të presionit politik e ligjor. Pranimi publik i dështimit pas 12 vitesh qeverisje ngre pikëpyetje të forta mbi përgjegjësinë reale dhe vonesën e qëllimshme të reformave.
