Deputeti i Partia e Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër për nivelin e ndotjes në Tiranë, duke akuzuar qeverinë se po i kushton më shumë rëndësi debatit për IBAR-in sesa shëndetit të qytetarëve.
Në një reagim publik, Vasili u shpreh se mijëra qytetarë po thithin çdo ditë ajër të ndotur me grimca toksike dhe ndotës të rrezikshëm si PM2.5, PM10 dhe dioksid azoti, ndërsa institucionet, sipas tij, heshtin përballë kësaj situate.
Ai iu referua të dhënave të platformës globale të monitorimit të ajrit IQAir, sipas të cilave Tirana vazhdon të mbetet një nga qytetet me ndotje problematike, duke theksuar se pasojat po reflektohen në rritjen e rasteve me probleme serioze shëndetësore.
Sipas Vasilit, ndërtimet pa kriter, trafiku i rënduar dhe mungesa e planifikimit urban kanë kthyer kryeqytetin në një “geto kullash”, ku qytetarët përballen çdo ditë me ndotje dhe zhurmë të lartë.
“Qeveria kërkon të shesë IBAR-in në vend që të ulë ndotjen”, deklaroi ai, duke shtuar se shqiptarët duhet të luftojnë për shëndetin dhe jetën e tyre si të drejta themelore.
Reagimi i Vasilit vjen në një kohë kur debati publik është fokusuar tek progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe raporti i IBAR-it, ndërsa çështjet e ndotjes dhe cilësisë së jetës po rikthehen në qendër të kritikave ndaj qeverisë.
