Viti 2026 i rezervon Shqipërisë një mundësi historike për të synuar kualifikimin në Kupën e Botës, me pjesëmarrjen e parë në ndeshjet “play-off” që do të zhvillohen në muajin mars. Nëse pjesa e parë e vitit do të jetë e përqendruar te Botërori, gjysma e dytë e 2026-s do të dominohet nga Liga e Kombeve, ku do të aplikohet një ndryshim i rëndësishëm në kalendarin ndërkombëtar.
Në pjesën e dytë të vitit do të zbatohet për herë të parë një “dritare e gjatë” për ndeshjet e kombëtareve. Kjo do të thotë se dritaret tradicionale të shtatorit dhe tetorit do të bashkohen në një periudhë të vetme.
Kombëtaret do të luajnë katër ndeshje në periudhën 24 shtator – 6 tetor, ndërsa dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve do të zhvillohen në datat 12 – 17 nëntor 2026. Ky format i ri synon të reduktojë udhëtimet e shpeshta të futbollistëve dhe ngarkesën në fillim të sezonit, një kërkesë e kahershme e klubeve europiane.
Ky është ndryshimi i parë i tillë i madh në kalendarin e ndeshjeve ndërkombëtare, edhe pse fillimisht një model i ngjashëm ishte parashikuar për vitet pasuese.
Shqipëria do të marrë pjesë në këtë edicion të Ligës së Kombeve në Ligën C, me objektivin kryesor fitimin e grupit. Një sukses i tillë do t’i siguronte kuqezinjve të paktën pjesëmarrjen në “play-off”-et për kualifikimin në Kampionatin Europian 2028.
