Vendimi i PZAP-së për Listën Serbe, KQZ: Është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar

Data

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka thënë të martën se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikim të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se vendimet PZAP-së janë të obligueshme për institucionin që drejton, dhe që këtë çështje e konsideron të mbyllur.

“Vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm, ndërsa sipas nenit 118, vendimet e PZAP-së janë të obligueshme për KQZ-në”, ka thënë ai.

Të pranishmit nuk është dashur të votojnë lidhur me këtë vendim. Lista Serbe është ankuar në PZAP, pasi në mbledhjen e 23 dhjetorit të KQZ-së, ky institucion nuk e ka certifikuar këtë subjekt politik, pas kundërshtimeve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, me arsyetimin se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Mbledhja e 31 dhjetorit është mbajtur pak pasi Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) pas vendimit të marrë nga PZAP-ja, e cila e ka urdhëruar KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për procesin zgjedhor në ardhje.

Përfaqësuesi i LVV-së, Sami Kurteshi, ka thënë të martën se dy vendimet – të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme – janë jo të plota, sepse nuk janë marrë parasysh të gjitha faktet dhe dëshmitë e nevojshme për certifikim.

Ai ka pretenduar sërish që Lista Serbe nuk e meriton të certifikohet, që ka ushtruar dhunë, apo ka inicuar dhe motivuar dhunë, sidomos në veri të vendit. Përgjatë mbledhjes së 31 dhjetorit janë ankuar edhe disa pjesëtarë tjerë, por kanë thënë se hallkat ligjore nuk u kanë dhënë mundësi tjetër për ankesë shtesë.

Lista Serbe e pati konsideruar vendimin e parë për moscertifikim si të kundërligjshëm dhe pati akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për përfshirje në marrjen e këtij vendimi. Perëndimi pati shprehur shqetësim për moscertifikim të Listës Serbe, ndërsa Bashkimi Evropian ka thënë më 31 dhjetor se politizimi i certifikimit të listave zgjedhore do të ishte kthim mbrapa për Kosovën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related