Tuneli i Murrizit nuk u hap këtë fundvit. Vepra që ka nisur në 2019 vijon të jetë kantier, duke lënë të papërfunduar edhe rrugën e Arbrit. Ndryshe nga sa ishte premtuar, kryeministri Edi Rama tha se tuneli pritet të hapet në pranverë – kohë që përkon me zgjedhjet parlamentare.
Gërmimet e një eskavatori të verdhë fundvitin e kaluar i dhanë dritë një prej veprave më të mëdha publike, tunelit të Murrizit. Bashkimi i dy anëve të kantierit 5 vjeçar u shoqërua me premtimin se e gjithë vepra do të mbyllej këtë fundvit.
“…drita e sotme është një arsye e fortë për të besuar që 2024 do ta vulosë edhe fundin e kësaj vepre kaq sfiduese.”, premtoi kryeministri në vigjilje të ndërrimi të viteve 2023-2024.
Tuneli i Murrizit është pjesa më e rëndësishme infrastrukturore e rrugës së Arbrit, e cila u hap për qarkullim ende pa u përfunduar i gjithë segmenti.
