Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku humbi jetën një efektiv policie dhe mbeti i plagosur një tjetër gjatë operacionit për arrestimin e një personi në kërkim.
Në një deklaratë për mediat nga Korça, Hita bëri të ditur se është urdhëruar nisja e një hetimi disiplinor për të verifikuar të gjitha procedurat e ndjekura gjatë operacionit. Ai theksoi se nuk kishte dijeni paraprake për zhvillimin e aksionit, pasi sipas tij ai është organizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, nëse do të ishte informuar më herët për operacionin, do të ishin angazhuar forca dhe masa shtesë sigurie për realizimin e tij.
“Në momentin që është zhvilluar operacioni nuk kam pasur dijeni. Masat operacionale i përkasin Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Nëse do të ishte kërkuar ndihmë, do të ishin marrë masa edhe më të forta”, deklaroi Hita.
Ai shtoi se të gjithë efektivët ishin të pajisur me jelekë antiplumb, por arma automatike e përdorur nga autori ka depërtuar përmes mbrojtjes balistike, duke shkaktuar pasojat tragjike.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
