Ish-presidenti Donald Trump theksoi frikën ndaj emigrantëve në një tubim në Madison Square Garden, duke premtuar një program masiv dëbimi në ditën e parë të mandatit të tij të dytë. Ai e quajti Shtetet e Bashkuara një “vend të pushtuar”, ndërsa protestuesit demokratë e akuzuan atë për glorifikimin e Hitlerit.
Tubimi shënon fillimin e fazës përfundimtare të përpjekjes së Trump për rikthim në Shtëpinë e Bardhë, pas humbjes në 2020. Gjatë fjalimit të tij, Trump përdori retorikë të ashpër dhe gënjeshtra, duke sulmuar zëvendës-presidenten Kamala Harris dhe duke e etiketuar si përgjegjëse për dështimet ekonomike
Përveç shqetësimeve për emigracionin, Trump preku gjithashtu çështje ekonomike, duke thënë se do të ndalonte inflacionin dhe do të rinovonte “ëndrrën amerikane”. Ai e paraqiti veten si zgjidhje për frustrimet e votuesve, duke argumentuar se emigrantët janë fajtorët për problemet ekonomike.
“Do të doja të filloja duke bërë një pyetje shumë të thjeshtë: A je më mirë tani sesa ishe katër vjet më parë?” pyeti Trump. “Unë jam këtu sot me një mesazh shprese për të gjithë amerikanët: Me votën tuaj në këto zgjedhje, unë do t’i jap fund inflacionit. Unë do të ndaloj pushtimin e kriminelëve që vijnë në vendin tonë dhe do të kthej ëndrrën amerikane”.
Kjo retorikë e ashpër dhe strategjia e tij për të mobilizuar bazën e tij, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fushatës së tij, duke synuar të aktivizojë votuesit e moderuar dhe ata që ndihen të zhgënjyer nga qeverisja aktuale.
