Velipojë/ Kultivonte kanabis në banesë me qira, arrestohet 22-vjeçari – pranga edhe një punonjësi të OSHEE-së, dy të tjerë nën hetim

Data

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në kuadër të fazës së katërt të operacionit policor të koduar “Neonët 4”, duke arrestuar një 22-vjeçar dhe duke ndaluar një shtetas tjetër, si dhe duke proceduar penalisht punonjës të OSHEE-së.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga është vënë shtetasi Gjovalin Binaku, 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës. Ai kishte marrë me qira një banesë në Velipojë, të cilën e kishte përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave elektrike. Gjatë operacionit është ndaluar edhe shtetasi Robert Vata, 25 vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për shtetasit A. U., 50 vjeç dhe Gj. T., 59 vjeç, banues në Velipojë dhe punonjës të OSHEE-së, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. Një prej punonjësve të OSHEE-së është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë nën hetim.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientin e përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, policia ka sekuestruar 308 bimë të dyshuara kanabis, rreth 85 gramë kanabis të tharë, 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivim, 4 telefona celularë dhe pajisje të tjera të përdorura në këtë veprimtari kriminale.

Po ashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Robert Vata janë gjetur dhe sekuestruar 3 llamba elektrike dhe një përforcues grushti.

Operacioni është zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetjen e Forcës Operacionale dhe njësisë “Shqiponjat”. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related