Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kamzën mesditën e kësaj të hëne, ku një i ri rreth 30 vjeç ka humbur jetën pasi u plagos me armë zjarri dhe u transportua me urgjencë drejt Spitali Universitar i Traumës.
Sipas informacioneve paraprake, i riu mbërriti në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Mjekët konfirmuan ndarjen e tij nga jeta pak kohë pas mbërritjes në ambientet e spitalit.
Nga të dhënat e para hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur në zonën e Kamzës, ndërsa rrethanat dhe motivet mbeten ende të paqarta.
Burime paraprake bëjnë me dije se autoritetet kanë arritur të identifikojnë autorin e dyshuar dhe kanë nisur operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Forca të shumta policie dhe grupi hetimor janë angazhuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po kryhen verifikime në vendin ku dyshohet se ndodhi konflikti dhe po mblidhen prova që mund të ndihmojnë hetimin.
Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar për identitetin e viktimës, dinamikën e ngjarjes dhe masat e ndërmarra për kapjen e autorit të dyshuar.
