Një incident me armë zjarri është regjistruar paraditen e kësaj të hëne në zonën e Kamzës, ku një person ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitali Universitar i Traumës.
Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri është paraqitur në spital me dëmtime të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë marrjes në pyetje nga efektivët e policisë, ai ka deklaruar se është qëlluar në Kamëz.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e policisë kanë nisur verifikimet për të identifikuar vendin e saktë të ngjarjes, autorin ose autorët e dyshuar, si dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur plagosja.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi identitetin e të plagosurit, gjendjen e tij shëndetësore apo motivet e mundshme të ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa priten informacione zyrtare nga autoritetet në vijim.
