Pas atentatit të rëndë në Lezhë, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ka reaguar avokati dhe i afërmi i viktimës, Gjergj Neli.
Në një deklaratë publike, ai ka bërë thirrje që të mos spekulohet me pista të pabazuara, veçanërisht me atë të hakmarrjes apo gjakmarrjes, duke theksuar se sipas tij nuk ka arsye që ngjarja të lidhet me motive të tilla.
Avokati dënoi ashpër atentatin, duke e cilësuar atë një akt të rëndë kriminal, ndërsa kërkoi nga organet ligjzbatuese zbardhjen e plotë dhe të shpejtë të ngjarjes, si dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve.
Ai kritikoi gjithashtu disa media për, sipas tij, përhapjen e versioneve të pavërtetuara që lidhin ngjarjen me konflikte të mëparshme, duke theksuar se çështje të së kaluarës janë trajtuar dhe mbyllur nga drejtësia.
Sipas Nelit, viktima ishte një familjar i rregullt dhe i respektuar në komunitet, i angazhuar në punë dhe jetë familjare, ndërsa çdo përpjekje për ta lidhur ngjarjen me pretendime të tjera cenon të vërtetën dhe rëndon mbi familjen.
Në përfundim, ai bëri thirrje për hetim të plotë dhe transparent, duke kërkuar që të shqyrtohen të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.
