Vasili: Rama nuk përballet dot me 5 kërkesat e protestës, po fshihet pas sulmeve ndaj organizatorëve

Data

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me protestat e vazhdueshme kundër qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po shmang përballjen me kërkesat e qytetarëve dhe po fokuson debatin te organizatorët e protestës.

Përmes një reagimi publik, Vasili u shpreh se pesë kërkesat e protestuesve janë të qarta dhe kërkojnë përgjigje politike konkrete, ndërsa sipas tij, kryeministri ka zgjedhur të merret me akuza, polemika dhe sulme personale.

“Kam lexuar pesë kërkesat e protestës, të cilat janë shumë të qarta dhe pa asnjë ekuivok. Ato kërkojnë përgjigje po aq të qarta. Rama nuk përballet dot me këto kërkesa, sepse e ka të pamundur politikisht, shoqërisht dhe moralisht”, deklaroi Vasili.

Sipas tij, qytetarët nuk janë të interesuar për debatet rreth figurave që lidhen me protestën, por për problemet që i kanë detyruar të dalin në rrugë.

“Shqiptarët nuk kanë ikur nga vendi për shkak të Dritan Goxhajt apo kujtdo tjetër. Ata janë larguar për shkak të qeverisjes së Edi Ramës dhe sot kthehen nga mijëra kilometra larg për të protestuar në Tiranë”, tha ai.

Vasili renditi pesë kërkesat kryesore të protestuesve:

  • Dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë qeverisë;
  • Krijimin e një qeverie teknike tranzitore me mandat jo më pak se 12 muaj;
  • Ndryshime kushtetuese dhe referendum për reformimin e sistemit zgjedhor;
  • Ndryshime në ligjin për financimin e partive politike;
  • Kufizimin e mandatit të kryeministrit në maksimum dy mandate.

Sipas deputetit të Partisë së Lirisë, shmangia e debatit mbi këto kërkesa tregon dobësi politike.

“Një kryeministër që nuk ka kurajon të përballet me kërkesat politike të qytetarëve dhe zgjedh të merret me thashetheme apo sulme personale, ka humbur autoritetin moral dhe politik për të qeverisur”, u shpreh Vasili.

Ai shtoi se protestat po vazhdojnë të mbajnë në qendër të vëmendjes këto pesë kërkesa dhe se, sipas tij, ato nuk mund të anashkalohen përmes polemikave apo debateve mediatike.

“Pesë kërkesat mbeten aty dhe kërkojnë përgjigje. Çdo përpjekje për t’i shmangur vetëm sa dëshmon krizën politike që po përjeton qeveria”, përfundoi Vasili.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related