Qytetarët kanë nisur të grumbullohen në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku pritet të zhvillohet protesta e 25-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Pavarësisht kushteve atmosferike, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë vijuar mobilizimin, duke konfirmuar mbajtjen e protestës edhe këtë mbrëmje. Tubimi vjen pas më shumë se tre javësh demonstrata të pandërprera në kryeqytet.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, largimin e qeverisë dhe ndërmarrjen e ndryshimeve që, sipas tyre, do t’i hapnin rrugë një procesi të ri politik në vend.
Sipas organizatorëve, lëvizja qytetare ka tejkaluar tashmë motivet fillestare dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së transparencës dhe largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Në shesh po vijon organizimi i pjesëmarrësve, ndërsa pritet që në orët në vijim protesta të marrë përmasa më të mëdha me mbërritjen e qytetarëve nga zona të ndryshme të vendit.
Ashtu si në protestat e mëparshme, organizatorët kanë paralajmëruar marshime dhe fjalime publike, ndërsa kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit dhe largimi i qeverisë aktuale.
Tubimi i sotëm konsiderohet nga organizatorët si një tjetër moment i rëndësishëm i mobilizimit qytetar, në një periudhë kur protestat kanë hyrë në javën e katërt të zhvillimit të tyre.
