NASA ka publikuar një regjistrim audio të klasifikuar prej dekadash, ku astronautët e misionit Gemini 7 raportojnë për praninë e një objekti të paidentifikuar gjatë fluturimit në hapësirë.
Në regjistrimin audio të vitit 1965, një prej astronautëve dëgjohet të thotë: “Objekt në orën 10:00”, ndërsa më pas përmenden edhe “grimca të ndritshme” që po lëviznin pranë objektit misterioz.
Dokumenti audio, i mbajtur sekret për 61 vite, është bërë publik në kuadër të një vale të re deklasifikimesh nga autoritetet amerikane lidhur me fenomenet e paidentifikuara ajrore dhe hapësinore.
Ndërkohë, Pentagoni ka publikuar grupin e parë të materialeve zyrtare mbi UFO-t, të njohura tashmë si UAP — fenomene anomale të paidentifikuara.
Sipas autoriteteve amerikane, publikimi i këtyre dokumenteve synon rritjen e transparencës për publikun dhe përfshin materiale të deklasifikuara nga institucione të ndryshme federale.
Në proces janë përfshirë edhe Shtëpia e Bardhë, FBI, drejtoria kombëtare e inteligjencës dhe Departamenti amerikan i Energjisë.
Paketa e parë përmban 162 skedarë, përfshirë dokumente të vjetra të Departamentit të Shtetit, materiale hetimore të FBI-së dhe transkripte të misioneve hapësinore të NASA-s.
Publikimi ka rikthyer interesin global për fenomenet misterioze të raportuara ndër vite nga astronautë, pilotë ushtarakë dhe agjenci shtetërore amerikane.
