Siguria në gjykatat e vendit u diskutua sot në Parlament, pas shqetësimeve të ngritura nga institucionet e drejtësisë, një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Çështja u trajtua në Komisionin për Mbikëqyrjen Institucionale, ku u theksua nevoja për masa të menjëhershme dhe afatgjata.
Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, kërkoi rikthimin e policisë në ambientet e gjykatave, duke theksuar se siguria nuk mund të garantohet pa forca të dedikuara policore, ndryshime ligjore dhe investime në godina të reja. Sipas tij, infrastruktura aktuale e gjykatave nuk i përmbush standardet minimale të sigurisë.
Nga ana e qeverisë, zëvendësministri i Brendshëm Xhemal Qefalia bëri me dije se gjatë tre viteve të fundit janë regjistruar 23 raste incidentesh në gjykata, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e policisë. Ai u shpreh i hapur për diskutime mbi ndryshime në organizimin e sigurisë, nëse kjo kërkohet nga KLGJ.
Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, sqaroi se procesi i seancave dëgjimore dhe vizitave monitoruese është ndërmarrë pas kërkesës së Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se vendimet janë marrë me konsensus. Ai theksoi se këto veprime nuk synojnë ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë, por krijimin e një hapësire dialogu për garantimin e sigurisë në institucionet gjyqësore.
