Ursula von der Leyen: Ulja e rolit të energjisë bërthamore ishte një gabim strategjik për Bashkimin Evropian

Data

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se ulja e rolit të energjisë bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian ka qenë një gabim strategjik.

Gjatë fjalës së saj në Samitin e Energjisë Bërthamore në Paris, ajo theksoi se energjia me çmime të përballueshme është thelbësore për mirëqenien e qytetarëve dhe për konkurrueshmërinë e industrisë evropiane.

Von der Leyen paralajmëroi se industria e së ardhmes do të mbështetet gjithnjë e më shumë te energjia elektrike, veçanërisht për shkak të zhvillimit të teknologjive të reja si robotika dhe inteligjenca artificiale, të cilat kërkojnë sasi të mëdha energjie.

“Robotika dhe inteligjenca artificiale do të nxisin valën e ardhshme të inovacionit dhe produktivitetit në të gjithë sektorët industrialë. Të dyja kërkojnë një bollëk energjie elektrike me çmime të përballueshme”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Bashkimi Evropian ndodhet në një pozicion të pafavorshëm për sa i përket furnizimit me energji, pasi për lëndët djegëse fosile është pothuajse tërësisht i varur nga importet, të cilat shpesh janë të kushtueshme dhe të paqëndrueshme.

Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se krizat gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme, kanë treguar qartë cenueshmërinë e bllokut në furnizimin me energji.

Ajo shtoi se BE ka burime të konsiderueshme të energjisë me karbon të ulët, si energjia bërthamore dhe ajo e rinovueshme, të cilat mund të ndihmojnë në sigurimin e pavarësisë energjetike dhe stabilitetit ekonomik.

Von der Leyen theksoi se në vitet ’90 rreth një e treta e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian prodhohej nga centralet bërthamore, ndërsa sot kjo shifër ka rënë në rreth 15 për qind.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related