Pesë ditë pas goditjes së furishme të uraganit “Melissa” në perëndim të Xhamajkës, komunitetet bregdetare vijojnë të jenë të izoluara, me mungesë të ushqimeve, pa energji elektrike e ujë të pijshëm, ndërsa ndihma po mbërrin me shumë vështirësi.
Numri i viktimave ka arritur në 28, një rritje gati 50% brenda natës, me paralajmërimin se bilanci pritet të rritet teksa ekipet e emergjencës hapin rrugët drejt zonave ende të paarritshme.
Stuhia e kategorisë së pestë, me erëra deri në 297 km/h, është cilësuar si më e fuqishmja që ka goditur ishullin në historinë moderne. Dëmet janë katastrofike veçanërisht në parish-et Westmoreland dhe St. Elizabeth, ku deri në 90% e banesave janë shkatërruar.
Rrugë të bllokuara nga pemë të rrëzuara, godina të shembura, automjete të përmbysura dhe radhë të gjatë njerëzish që presin me shpresë ndihmë, kjo është panorama e Xhamajkës sot.
