Inspektori i Lartë i Drejtësisë pas një hetimi disiplinor ndaj gjyqtares së Shkodrës, Arta Llazari, i ka propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) shkarkimin nga detyra të magjistrates për “Shkelje shumë të rëndë disiplinore“.
ILD bën me dije se hetimi ndaj Llazarit ka nisur pas 11 ankesave për mosrespektim të afateve procedurale dhe neglizhencë në detyrë. Nga hetimet kanë rezultuar vonesa të pajustifikueshme në shqyrtimin e çështjeve, ku në disa raste mungojnë veprime për më shumë se tre vite.
Sipas raportit, rreth 64% e çështjeve civile të themelit për vitin 2021 dhe 90% për vitet 2022 dhe 2023 janë në tejkalim të afatit ligjor të arsyetimit/dorëzimit (vendime të llojit kryesisht vërtetim fakti juridik për njohje vërtetësie e zgjidhje martese, njohje pronësie apo pjestim pasurie). Gjithashtu, vonesa të konsiderueshme janë konstatuar edhe në urdhërat e mbrojtjes, ekzekutimet dhe masat e sigurimit.
Sipas ILD-së, veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës, e përsëritur dhe e vazhdueshme, e në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.
Po ashtu, thuhet se gjyqtarja ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, edhe pse ka 24 vite eksperiencë, tregues i njohjes shumë të mirë të ushtrimit të detyrës me disiplinë.
