Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar pamje që tregojnë shkatërrimin e një ure të rëndësishme në Iran, duke e shoqëruar reagimin me paralajmërime të forta ndaj Teheranit.
Në deklaratën e tij, Trump theksoi se kjo është vetëm një nga goditjet dhe se zhvillime të tjera priten në vijim.
“Ura më e madhe në Iran është shembur dhe nuk do të përdoret më kurrë – shumë gjëra të tjera do të pasojnë! Është koha që Irani të arrijë një marrëveshje para se të jetë tepër vonë”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve të Agjencia e Lajmeve Fars, bëhet fjalë për urën B1 që lidh zonën mes Teheranit dhe Karajit, një strukturë e konsideruar ndër më të rëndësishmet infrastrukturore në vend.
Ura, me një lartësi prej rreth 136 metrash, cilësohej si një nga më të lartat në Lindjen e Mesme dhe ishte inauguruar vetëm pak muaj më parë. Projekti kishte një vlerë të përafërt prej 400 milionë dollarësh dhe ishte përshkruar si një nga arritjet më komplekse inxhinierike në rajon.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa thirrjet për një marrëveshje dhe paralajmërimet për përshkallëzim po shtohen nga të dyja palët.
