Qindra qytetarë kanë nisur marshimin nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, në kuadër të protestës mbarëkombëtare që po zhvillohet në Tiranë.
Tubimi i sotëm shënon ditën e 11-të të protestave të vazhdueshme, të cilat kanë mbledhur qytetarë nga zona të ndryshme të vendit. Pjesëmarrësit shprehen kundër politikave të qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit po marshojnë përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit drejt selisë së ekzekutivit, ku pritet të zhvillohet pjesa kryesore e tubimit.
Organizatorët e kanë cilësuar protestën si një manifestim qytetar dhe kombëtar, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë paraqitur publikisht.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës dhe garantimin e rendit publik gjatë zhvillimit të saj.
