Ura e Kukësit tashmë është e aksesueshme, e cila do të bashkojë brigjet e Drinit dhe Rrugën e Kombit. Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin dje në përurimin e Urës së re dhe hapjen e trafikut për këtë zonë. Kryeministri Rama theksoi se kjo është një urë e rëndësishme që duhet të hapet për të gjithë. “Është shumë e rëndësishme që ura hapet, hapet për të gjithë. Falë edhe talentit dhe punës dhe eksperiencës së projektuesit Italian, pasi ura mbaroi duheshin plotësuar edhe kushtet për 2-3 komunitete të tjera rreth kësaj zone, të cilave u duhet dhënë akses.” Zëvendëskryeministrja theksoi se në mungesë të kësaj ure, i gjithë trafiku kalonte në urën e vjetër.
“Rruga e Kombit është një rrugë që e cila kur e kemi marrë në dorëzim, ka qenë pothuajse as në gjysmë të volumeve të saj përfundimtare, sigurisht ka edhe pjesë të tjera që duhen përfunduar. Ne vazhdojmë me përmirësimin e saj.” Ndërkohë për kryeinxhinierin kjo urë ka kushtuar rreth 40 mijë euro dhe se e gjitha është e ndërtuar jashtë. “Është një vepër e veçantë, jo vetëm vepër arti por edhe nga ana si është strukturuar dhe metodologjia e saj. Ura në vetvete ka kushtuar rreth 40 milionë euro, përfshirë dhe dy rrugët e aksesit të hyrjes dhe të daljes. Ura ka veçori të jashtëzakonshme sepse si urë është e ndërtuar e gjitha jashtë. Dhe pas ndërtimit, është spostuar përmes lundrimit.”, kryeinxhinier i projektit.
