Projekti i Unazës së Madhe, një ndër investimet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, vazhdon të jetë një burim i madh shqetësimi dhe kritikash për publikun dhe autoritetet. Së fundmi, janë raportuar zhvillime të reja që përfshijnë një shtesë të konsiderueshme financiare dhe zgjatjen e afateve për përfundimin e projektit. Opozita akuzon ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku se ka lejuar një rritje prej 1.7 milion eurosh në buxhetin e projektit, ndërsa sipas saj, janë bërë ndryshime në planifikimin e përfundimit të tij. Ky skandal ka ngjallur shqetësime të mëdha për menaxhimin e fondeve publike dhe transparencën në realizimin e projekteve infrastrukturore.
Denoncimi
Konkretisht ka qenë anëtarja e Kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Marinela Ziu, shprehet se prej gati një dekade projekti i rishikuar i Unazës së Madhe vijon të gllabërojë miliona euro që jo vetëm risin kostot duke mbetur larg shifrave fillestare por edhe afatet. Në një deklaratë për mediat, zonja Ziu thotë se zvarritja e kësaj rruge jo vetëm që sjell shqetësim të jashtëzakonshëm në trafikun e rënduar të qytetarëve të Tiranës por edhe miliona euro të shpërdoruara. Sipas saj, e njëjta gjë është bërë edhe në ndryshimin e fundit që i ka bërë kontratës ARRSH në varësi të Belinda Ballukut, të cilët 24 milionë eurove të lotit të dytë të projektit “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, faturës që paguhet nga qytetarët më të varfër të Europës i ka shtuar edhe 1.7 milionë euro të tjera dhe po ashtu, ka ndryshuar afatin e përfundimit të projektit nga 11 në 20 muaj. Ziu më tej thotë se ky segment është një nga rrugët e florinjta, e cila që në krye të herës është shënuar si një nga aferat më të mëdha korruptive dhe se fatura e projekteve që kalojnë nga “Sheshi Shqiponja” shkon të paktën 120 milionë euro.
Detajet
Prej gati një dekade projekti i rishikuar i Unazës së Madhe vijon të “gllabërojë” në mënyrë të vazhdueshme miliona euro, që jo vetëm rrisin koston duke mbetur larg shifrave fillestare por edhe afatet, duke zvarritur me vite përfundimin e tij, i cili po ashtu duket edhe më larg pavarësisht se u premtua të përfundonte në gushtin e vitit 2023 e më pas në fillim të vitit 2024. Faktet tregojnë se ende sot, rruga ka mbetur rrugëve. Zvarritja e punimeve jo vetëm që sjell shqetësim të jashtëzakonshëm në trafikun e rënduar të qytetarëve të Tiranës por miliona euro të shpërdoruara.
Së fundmi, Autoriteti Rrugor Shqiptar në varësi të Belinda Ballukut, nëpërmjet një modifikimi kontrate me motivacionin e përherëshëm të “(i) ndryshimeve të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me preventivin dhe (ii) ndryshimeve të volumeve dhe përmirësimeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren”, 24 milionë eurove të lotit të dytë të projektit “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, faturës që paguhet nga qytetarët më të varfër të Europës i ka shtuar edhe 1.7 milionë euro të tjera dhe po ashtu, ka ndryshuar afatin e përfundimit të projektit nga 11 në 20 muaj. Kujtojmë këtu se, projekti që lidhet me Sheshin Shqiponja është një nga rrugët e florinjta, e cila që në krye të herës ka shënuar si një nga aferat më të mëdha korruptive, ku tenderi u përfitua nga një kompani fantazëm, për të cilat ende sot askush nuk mban përgjegjësi; ku një kilometër rrugë shkon deri në 2.2 milionë euro, duke tejkaluar 8 herë më shumë koston e Bypass- it të Vlorës dhe të Fierit, ndërtuar me fonde të BE-së dhe mbikëqyrur nga to; paracaktim të fituesve nëpërmjet ndryshimit të kritereve me Vendim të Këshillit të Ministrave; tejfryrje të vlerave dhe shtim të tyre nëpërmjet negocimeve pa shpallje dhe tashmë edhe modifikimeve miliona euro të kontratave.
Deri tani, fatura e projekteve që kalojnë nga “Sheshi Shqiponja”, një nga më jetikët për qytetarët dhe trafikun e rënduar më të cilin përballen çdo ditë, shkon të paktën 120 milionë euro, ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon të tjera miliona euro dhe sërish shtyrje afati. Gjatë këtyre viteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka pasur në dispozicion një buxhet prej 1.5 miliardë eurosh, të cilat nëpërmjet skemave klienteliste ju janë dhënë klientëve të përhershëm të qeverisë dhe ku çdo tender përbën një skemë krimi. Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bëjnë thirrje SPAK, të cilin e mbështesim pa asnjë rezervë nga dita e parë, të hetojë në mënyrë të plotë dhe të shpejtë shpërdorimin e parave publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar sepse, Shqiptarët meritojnë më shumë, Shqipëria meriton më shumë.
