Unaza e Madhe e Tiranës gropa financiare e qeverisë, ja si Balluku e ndau në 14 lote për të vjedhur dhe si po…

Data

Unaza e Madhe e Tiranës duket se është shndërruar në një nga skandalet më të mëdha financiare që ka përfshirë qeverinë shqiptare, duke nxjerrë në pah menaxhimin e dobët të projekteve infrastrukturore dhe abuzimet me fondet publike. Sipas opozitës, zv/kryeministrja Belinda Balluku ka ndarë këtë projekt në 14 lote, një praktikë që dyshohet se është përdorur për të lehtësuar vjedhjen e buxhetit. Çmimet e ndërtimit të rrugëve janë alarmuese, për shembull, aksi Korçë-Ersekë po iu kushton shqiptarëve rreth 5 milionë euro për kilometrin, kur në të vërtetë, kostoja e arsyeshme duhet të ishte rreth 800 mijë euro. Kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze mbi transparencën dhe përgjegjësinë e autoriteteve, ndërsa opozita i ka denoncuar këto skandale në një përpjekje për të kërkuar llogari dhe për të nxjerrë në pah keqmenaxhimin e fondit publik.

Detajet

Ka qenë kryetari i Partisë Demorkatike, Sali Berisha, i cili analizoi dje buxhetin e vitit 2025 që është më i madhi ndonjëherë, por që për PD-në është buxheti i vjedhjeve të mëdha. Duke folur në një konferencë me gazetarët online, ish-kryeministri Berisha denoncoi se punët publike po ndërtohen me 10-fishin e çmimit që ndërtohet sot në Kroaci. Si shembull mori punimet në Unazën e Madhe të Tiranës. Berisha akuzoi ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku se i ka ndarë punimet në 14 lote, me qëllim për të vjedhur në çdo lot.

“Është bërë i tmerrshëm mekanizmi i vjedhjes së shqiptarëve me punë publike. Këto punë ndërtohen sot në Shqipëri me 10-fishin e çmimit që ndërtohet sot në Kroaci. 90 përqind të këtij çmimi i vjedh Lubia me Edi Ramën. Se si shkatërrohen punët publike, modeli më klasik në historinë e tyre është Unaza e Madhe e Tiranës. Ju duhet ta dini se kjo unazë 27 km në të gjithë gjatësinë e saj, nga të cilat 3 km e para ishin të mbaruara në vitin 2013, nga viti 2013 gjer sot ka përfunduar vetëm gjysma e kilometrave të mbetura. Këtë vit dhe në vazhdim janë për t’u ndërtuar edhe rreth 12-13 kilometra të tjera. Por çfarë ka bërë Lubi Balluku dhe Edi Rama? A mund të imagjinoni ju që të copëtojë për të vjedhur njëlloj siç copëtonte Edi Rama lejet për pallatet, e ka ndarë në 14 lote në mënyrë që në çdo lot të vidhet, të vidhet dhe vetëm të vidhet.

Merrni pak investimin që bëhet këtë vit, Bradashesh-Peqin, 160 milionë euro. Ju kërkoj njerëzisht ju, anëtarëve të medieve, të shkoni ta bëni atë distancë dhe të shihni çfarë trafiku ka. Unë nuk jam për moszgjerimin e rrugëve, por jam pa diskutim për një rend në të cilin duhet të sigurosh leverdishmërinë ekonomike dhe jo të ndëshkosh qytetarët me investime të tilla. 12 vite vazhdoi rruga 34 km Korçë-Ersekë. U ndërtua me 800 mijë euro km, kurse 7 kilometrat e dytë kaluan, pasi erdhi Edi Rama në pushtet, nga 800 mijë euro, në 4-5 milionë euro kilometri. Ju garantoj se rruga Korçë-Ersekë jo që nuk rikthen investimin, por nuk e shlyen atë as për dy gjenerata”, deklaroi ai.

Pagat dhe investimet në bujqësi e arsim

Ndërkohë Berisha thotë se buxheti parashikon zero rritje të pagave dhe injoron totalisht shëndetësinë, arsimin, fermerët dhe biznesin. Partia Demokratike nuk ka një qëndrim nëse do të vijojë me mosbindjen civile apo do të rikthehet në Kuvend për të kundërshtuar projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ndërsa zbuloi dhe objektivin e ri të betejës, vendosjen e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar.

“Një vendim do merret, por qëndrimi ynë është i prerë. Minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar. Ky është ligji i të gjitha ligjeve që do të mbrojmë në Parlament. Ftoj çdo shqiptar të mbështesë këtë nismë e cila i jep zgjidhje imediate problemeve të mëdha të krijuara te 46% e shqiptarëve që jetojnë sot në varfëri. Vendosja e minimumit jetik dhe mbi të llogaritja e pensioneve me një rritje shtesë, ky buxhet ka ccdo mundësi dhe kapacitet për të vendosur në këtë mënyrë. Vetëm këtë vit ka pasur një suficit 700 milionë euro nga mosrealizimi i shpenzimeve dhe investimeve. Mosbindja civile ka 77 metoda, kudo zhvillohet. Mendoj se ne duhet të bëjmë betejë për minimumin jetik 200 euro”, nënvizoi Berisha.

Reagon Bardhi

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh dje se qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë çmimin më të lartë të energjisë elektrike për shkak të babëzisë së zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se vetëm nga transaksionet e shit-blerjes së energjisë në 1 vit, janë vjedhur 180 milion euro.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related