“Balluku duhet të jetë në burg” – Bardhi shpërthen: Kuvendi nuk mund të kthehet në strehë të të korruptuarve

Data

Në një reagim të ashpër nga salla e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën dhe drejtuesit e Kuvendit për bunkerizim të institucionit në shërbim të korrupsionit.

Duke folur në emër të opozitës, Bardhi dënoi sjelljen e kryeparlamentarit Niko Peleshi, të cilin e akuzoi se ka lejuar që Kuvendi të përdoret si mburojë politike për zyrtarë të akuzuar nga drejtësia. Sipas tij, prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në seancë përbën një provokim të rëndë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe një shkelje morale të parimeve të shtetit të së drejtës.

“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dënoj sjelljen e kryetarit të Kuvendit që ka zyrtarizuar bunkerizimin e Kuvendit në emër të të korruptuarve”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se Balluku, për të cilën sipas opozitës ekziston një kërkesë nga SPAK, duhet të ishte përballë drejtësisë dhe jo e ulur në sallën e Parlamentit, duke u sjellë “sikur nuk ka ndodhur asgjë”.

Bardhi e cilësoi këtë situatë si një provokim të urdhëruar politikisht nga kryeministri Edi Rama, duke akuzuar mazhorancën se po përdor institucionin më të lartë për të mbrojtur pushtetin dhe jo ligjin.

“Kuvendi i Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë streha e të korruptuarve. Kuvendi duhet t’i shërbejë interesit të popullit dhe jo interesit të atyre që kanë frikë nga drejtësia”, u shpreh ai.

Deklarata e Bardhit vjen në një klimë të ndezur politike, me tensione të forta në seancën e parë plenare të vitit 2026, ku opozita ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga aksioni politik deri në dorëzimin e zyrtarëve të akuzuar para drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related