Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur përjashtimin nga radhët e Policisë së Shtetit të Ulian Shpataraku, i cili ishte pezulluar nga detyra pak javë më parë.
Sipas burimeve, motivi i përjashtimit lidhet me mosparaqitjen në detyrë. Më herët, në muajin mars, ish-kryepolici i komanduar Sokol Bizhga kishte firmosur pezullimin e Shpatarakut për moszbatim të hapur të dispozitave ligjore gjatë ushtrimit të funksioneve të tij.
Burime bëjnë me dije se Shpataraku po ndiqte studimet master në Akademia e Sigurisë, por dyshohet se, duke përdorur si argument vijimin e studimeve, mungonte rregullisht në vendin e punës.
Si çdo efektiv i përjashtuar nga Policia e Shtetit, ai ka të drejtën e ankimit. Komisioni përkatës pritet të shqyrtojë çështjen brenda një muaji për të konfirmuar ose jo përjashtimin përfundimtar.
Ulian Shpataraku njihet edhe për raportin e afërt me Ilir Proda, me të cilin ka punuar në Policinë e Elbasanit, ku mbante postin e zëvendësit të tij.
Në vitin 2023, kur drejtonte sektorin antidrogë në Policinë e Elbasanit, Shpataraku u pezullua nga detyra dhe u vu nën hetim nga Prokuroria për shpërdorim detyre, pasi dyshohej se kishte liruar në mënyrë të parregullt një person të shpallur në kërkim për “shfrytëzim lokalesh për përdorim droge”.
