Prej tre ditësh vijojnë pa rezultat kërkimet për 30-vjeçarin Jurgen Karaj, i cili dyshohet se u zhduk pas një aksidenti në lumin Mat. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga i riu, pavarësisht angazhimit të gjerë të forcave në terren.
Operacioni i kërkimit po zhvillohet përgjatë një gjatësie rreth 25 kilometra, nga vendi ku ka ndodhur aksidenti deri në hyrje të liqenit të Ulzës, në fshatin Urakë të Matit. Kërkimet po kryhen si në brigjet e lumit, ashtu edhe në ujë nga polumbarët, ndërsa po përdoren edhe dronë për kontroll nga ajri.
Në terren janë angazhuar mbi 300 forca, përfshirë shërbimet zjarrfikëse të Bashkive Mat dhe Klos, Forcat e Armatosura, strukturat e Mbrojtjes Civile si dhe vullnetarë.
Sipas autoriteteve, ndonëse prurjet e lumit Mat kanë rënë ndjeshëm, gjetja e trupit mbetet e vështirë. Veshjet tekstile, mbeturinat e grumbulluara në bimësinë anësore të lumit dhe uji ende i turbullt e bëjnë operacionin kompleks.
Po ashtu, ekziston dyshimi se 30-vjeçari mund të jetë mbuluar nga zhavorri, çka e vështirëson edhe më tej lokalizimin e tij.
Kërkimet vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri deri në zbardhjen e plotë të fatit të të riut.
