Shtetet e Bashkuara po përballen me një stuhi dimërore të përmasave historike, e cilësuar si një nga fenomenet më të rënda të viteve të fundit. Dimri polar ka ngrirë pjesën më të madhe të territorit amerikan, duke izoluar miliona qytetarë, paralizuar transportin dhe shkaktuar kaos në jetën e përditshme.
Pamjet nga qytetet kryesore janë tronditëse: rrugë të zbrazëta, trafik minimal, dyqane të mbyllura dhe një ndjesi frike që mbizotëron kudo. Qytetarët janë vërsulur në supermarkete për t’u furnizuar me ushqime, ujë dhe produkte bazë, ndërsa raftet po zbrazen me shpejtësi rekord.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të kufizojnë lëvizjet vetëm për raste emergjente, pasi reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat ekstreme po e bëjnë të rrezikshëm çdo udhëtim.
Në rrjetet sociale janë shpërndarë mijëra video që tregojnë përgatitjet për izolim: mënyra improvizuese për ngrohje, ruajtje ushqimi, mbrojtje të automjeteve dhe banesave nga bora dhe akulli. Frika nga moti ekstrem është kthyer në realitet të përditshëm për miliona amerikanë.
Gjendje e jashtëzakonshme dhe kaos në transport
Në total, 20 shtete dhe kryeqyteti federal kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Më shumë se 14,800 fluturime janë anuluar vetëm brenda një dite, ndërsa mijëra të tjera janë vonuar, duke lënë qindra mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte.
Në disa qytete pritet një shtresë dëbore deri në 30 centimetra, ndërsa temperaturat do të qëndrojnë nën zero për ditë të tëra. Autoritetet po shqyrtojnë mbylljen e shkollave dhe kalimin në mësim online.
Reshje të dendura dëbore janë regjistruar edhe në pjesën qendrore të vendit, ku në disa zona trashësia e borës ka arritur deri në 20 cm. Qytete të mësuara me klimë të butë po përjetojnë temperatura nën -5 gradë Celsius.
Rrezik për energjinë elektrike dhe strehimore emergjente
Dhjetëra mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa autoritetet janë në alarm për të shmangur një kolaps të rrjetit energjetik. Në disa shtete janë hapur strehimore emergjente, veçanërisht për personat e pastrehë dhe të moshuarit.
Trump: “Qëndroni të sigurt dhe qëndroni ngrohtë”
Donald Trump ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për 12 shtete, duke lejuar mobilizimin e shpejtë të strukturave të emergjencës dhe ndihmës federale.
“Qëndroni të sigurt dhe qëndroni ngrohtë!” ishte apeli i tij publik, ndërsa autoritetet federale dhe lokale janë në gatishmëri të plotë.
Shtetet e Bashkuara po kalojnë një nga sprovave më të ashpra dimërore të dekadës, me ditët në vijim që pritet të jenë vendimtare për sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e infrastrukturës.
