Detaje të tjera po dalin në dritë për Kreshnik Muçaj, i cili u vra sot bashkë me bashkëshorten në atentatin me armë zjarri në Balldren.
39-vjeçari rezulton se ka qenë një nga mbështetësit aktivë të banorëve të Rrjoll, të cilët prej muajsh protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, ai shfaqet duke bërë thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të tokave, për të cilat banorët pretendojnë se po u merren padrejtësisht.
“I bëj thirrje gjithë Shqipërisë… mos t’i lëmë këta të luajnë me tokat tona,” dëgjohet të thotë ai në video, duke apeluar për reagim dhe solidaritet.
Projekti në fjalë është lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, ndërsa kundërshtimi i banorëve ka qenë i vazhdueshëm.
Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimeve, autoritetet nuk kanë konfirmuar asnjë lidhje mes aktivitetit të tij publik dhe atentatit ku ai humbi jetën.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
