Tre ish-zyrtarë të bashkisë Tropojë, të cilët në muajin Prill 2024 u morën të pandehur nga prokuroria e posaçme SPAK, për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera apo ankandeve publike”, janë dënuar nga Gjykata e Posaçme. Zenel Çela, specialist i lartë, Ramiz Bardhi me detyrë specialist i Lartë dhe Rexhep Ismajlisufaj me detyrë ekonomist në Bashkinë Tropojë, kanë pranuar fajësinë para gjykatës, duke kërkuar një dënim më të lehtë. Treshja e gjyqtarëve Elsa Ulliri, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, teksa kanë studiuar konkluzionet e prokurorit të çështjes, Elvin Gokaj, si dhe duke konstatuar pendesën dhe pranimin e fajësisë nga tre të pandehurit, kanë vendosur të dënojnë me dy vite burgim secilin prej ish-zyrtarëve. Por dënimi me 2 vite burgim është pezulluar nga gjykata, duke i vendosur të tre të pandehurit në shërbim prove për një periudhë 4 vjeçare, duke i kushtëzuar që gjatë kësaj kohe mos shoqërohen me asnjë person të dënuar.
Sipas vendimit të gjykatës së posaçme 3 zyrtarë të bashkisë Tropojë, të cilët kanë marrë pjesë në dy procedura tenderuese të shpallur nga ky institucion, janë marrë të pandehur nga prokuroria e Posaçme SPAK, për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tendera apo ankandeve publike”. Sipas dosjes hetimore tre zyrtarët kanë abuzuar gjatë fazës së drejtimit të komisionit të vlerësimit të ofertave në dy procedura tenderuese të shpallura nga bashkia Tropojë. E para lidhet rikonstruksionin e gjimnazit “Asim Vokshi” dhe palestër, plus terrene sportive dhe sistemime të jashtme me fond limit mbi 53 milionë lekë. Ndërsa tek e dyta bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës “Tinka Kurti” në fshatin Lekbibaj. Në të dyja këto procedura tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave në kushte të paqarta dhe pamotivuara, kanë përjashtur në mënyrë të qëllimshme Bashkimin e Operatorëve “Halili 1” dhe “Shëndëlli”, kompani këto që administrohen nga Kujtim Byberi dhe Yzedin Bozhaj. Sipas SPAK, funksionarët e bashkisë Tropojë me vendimarjen e tyre kanë favorizuar në procedurën e rikonstruksionit të gjimnazit “Asim Vokshi”, subjektin “4 A-M” që zotërohet nga Ardit Metaliaj.
