Pas letrës dashamirëse që presidenti rus Vladimir Putin, i dërgoi me rastin e 80 vjetorit të çlirimit të Beogradit, ai dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar edhe një bisedë telefonike. “Zhvillova një bisedë shumë të mirë me presidentin rus Putin”, ka njoftuar Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram, duke shtuar se shpreson që Serbia të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë. Presidenti kujtoi se nuk kishte folur me homologun e tij rus për gati dy vjet e gjysmë dhe theksoi se kjo telefonatë ishte “e hapur, e gjatë dhe kuptimplotë”. “Shpreha shpresën, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, e gjithashtu mirënjohje të jashtëzakonshme për mbështetjen e Moskës në OKB në lidhje me rezolutat e ndryshme dhe për integritetin territorial të Serbisë”, tha Vuçiç.
Presidenti serb, i cili së fundmi ka marrë ftesë nga presidenti rus për samitin e BRICS në Kazan, tha se më shumë detaje rreth bisedës me udhëheqësin rusë do ti zbulojë të hënën, gjatë një interviste për Radio Televizionin Publik të Serbisë. Para kësaj, presidenti rus i ka dërguar të premten një mesazh urimi Presidentit të Serbisë me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit në Luftën e Dytë Botërore. Në atë mesazh, Putin ka theksuar se rusët dhe serbët, krah për krah, luftuan së bashku kundër armikut. Rusia e përkrah vazhdimisht Serbinë sa i përket çështjes së Kosovës. Madje, së fundmi, Moska zyrtare po e përdorë edhe një analogji komplet të paqëndrueshme edhe sa i përket luftës së saj të pajustifikuar në Ukrainë, duke e lidhur atë me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Serbia, tradicionalisht është konsideruar si një “satelit” rus në Ballkan.
