Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha ka goditur dje fort armiqtë e reformës në drejtësi, duke denoncuar përpjekjet e “Trekëndëshit të Bermudës”, që nënkupton Ramën, Berishën dhe Metën për të sabotuar punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sipas Bashës, ndërsa shqiptarët kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për korrupsionin, tre politikanët që kanë dominuar tranzicionin shqiptar janë të tmerruar nga frika e llogaridhënies. Me mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe BE, Z. Basha thekson gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, se SPAK është kthyer në një mekanizëm të pakthyeshëm për goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa sipas tij, ata që kanë përfituar nga ky sistem i kalbur po tentojnë ta pengojnë me çdo mjet.
Ndërkohë deputeti Basha thekson se lufta kundër korrupsionit nuk është më një betejë politike, por një domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë. Ai akuzon qeverinë dhe aleatët e saj të vjetër për sabotimin e reformës, duke penguar amendamentet që forcojnë drejtësinë dhe duke përdorur Kuvendin si një barrierë kundër ndëshkimit të korrupsionit. Megjithatë, kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha shprehet i bindur se shqiptarët nuk do të mashtrohen më dhe se reforma në drejtësi do të vazhdojë përpara, pavarësisht përpjekjeve të “Trekëndëshit të Bermudës” për ta ndalur atë.
