“Reuters” raporton se deputetët e opozitës në një seancë parlamentare, pasi votat e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, u ngritën nga vendet e tyre, iu afruan kryetarit të Kuvendit dhe u përleshën me sigurinë, ndërsa të tjerët hodhën bomba tymuese dhe gaz lotsjellës dhe thekson se salla ishte e mbushur me tym të zi. “Reuters” thekson se parlamenti duhej të miratonte një ligj për rritjen e fondeve për universitetet, që është një nga kërkesat kryesore të studentëve që bllokojnë fakultetet, dhe të pranonte dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç dhe se opozita ishte e pakënaqur me faktin se në rend dite u futën edhe pika të tjera.
Plagosja e 3 deputetëve
Deputetë të Qeverisë dhe opozitës u përfshinë në përleshje, ndërkohë që në sallë janë hedhur fishekzjarrë dhe tymuese duke krijuar kaos. Pavarësisht kaosit dhe përplasjeve, kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç vijoi seancën, ndërsa njoftoi se një deputete, e cila u godit nga një bombë tymuese është në gjendje të rrezikshme për jetën. Ajo gjithashtu njoftoi se mjekët kanë hyrë në ndërtesën e parlamentit. Sipas raportimeve, deputetja Jasmina Obradoviç, kishte pësuar një goditje në tru, dhe për ndihmë të specializuar është shoqëruar në spital nga një autoambulancë. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç postoi më pas në Instagram, duke treguar se ai vetë kishte vizituar deputeten.
Reagimi i Vuçiçit
Presidenti i Serbisë, duke folur për trazirat që bëri opozita në Kuvend, tha se ky ishte një akt i dhunshëm, huligan dhe se për këtë kërkon përgjegjësi penale. Vuçiq tha për TV Pink se sot është një ditë e vështirë për Serbinë, për çdo qytetar normal të këtij vendi, se ne kemi qenë dëshmitarë të diçkaje që nuk e kemi parë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak, domethënë në 35 vitet e fundit. Siç ka thënë ai, përfaqësuesit e opozitës kanë sulmuar sot gratë – tre deputetë dhe kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se festa e 8 marsit do të vijë së shpejti, i pyeti se çfarë do t’u thoshin atyre grave. Sipas tij, përfaqësuesit e opozitës po i radikalizojnë protestat pasi siç thotë ai, shohin rënie të përkrahjes për protestat dhe shohin që njerëzit nuk duan dhunë dhe vlerësoi se përfaqësuesit e opozitës janë nervozë.
Akuzat për shqiptarët
Mbështetja për Vuçiç, ka ardhur nga aleatët e tij të ngushtë, liderët e Hungarisë dhe Republikës Srpska. Kryeministri hungarez, Viktor Orban theksoi se forcat globaliste-liberale nuk mund të lejohen të vazhdojnë të destabilizojnë kombet sovrane. Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik madje nuk i ka kursyer edhe akuzat për shqiptarët. “Kjo nuk është opozitë politike, këto janë grupe destruktive që duan të gjunjëzojnë Serbinë! Duke gjykuar nga bombat tymi, revolucioni me ngjyra në Serbi nuk është në ngjyrat e trengjyrëshit serb, por në ngjyrat e flamurit shqiptar! Dhe nuk është sekret për askënd se kush qëndron pas kësaj dhe që po shqetëson Serbinë e fortë dhe të qëndrueshme”, thuhet në një postim në profilin zyrtar të Milorad Dodikut në rrjetin social “X”. Akuzave të tij, i parapriu kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, e cila iu tha deputetëve të opozitës në parlament se, siç tha ajo, kanë marrë mbështetje nga UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) në rrjetet sociale.
