Radio Televizioni Shqiptar është zyrtarisht në krizë. Ky konstatim është bërë nga drejtoresha e sapoemëruar Eni Vasili, që në muajt e parë të punës. Pavarësisht mungesës së transparencës me publikun, në komunikimin e brendshëm zyrtar, drejtoresha e ka pranuar se situata financiare që ka gjetur rrezikon aftësinë e institucionit për të paguar detyrimet ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të jashtëm.
E ardhur në detyrë pas një sage lëvizjesh tronditëse, që nga emërimi dhe shkarkimi i Alfred Pezës, pastaj shkarkimi i gjithe Këshillit Drejtues, me drejtoreshën e komanduar në periudhën tranzitore Aurora Polo, duket se menaxhimi i RTSH ka qenë i pakontrolluar dhe abuzimet kanë zeruar arkën e një institucioni që jeton me tarifat dhe taksat e qytetarëve.
Në një kërkesë që Eni Vasili u dërgon personave përgjegjës për Buxhetin, bëhet pjesërisht e qartë se si është menaxhuar institucioni nga paraardhësit e saj.

Përveç financimi të ulët nga tarifa që paguajnë qytetarët në krahasim me vendet e tjera të rajonit, drejtoresha konstaton se situata e vështirë financiare vjen nga mosrealizimi i të ardhurave të parashikuara. Kjo është pjesa më e mirë e një menaxhimi të keq. Sepse dëmi më i madh vjen nga abuzimet që janë berë me të drejtat televizive dhe me pushimet nga puna të qindra punonjësve, në kundërshtim me ligjin.
