Sot seanca në GJKKO për Erion Veliajn, pritet vendimi për kalimin ose jo në gjykim të dosjes

Data

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillohet sot, në orën 11:00, seanca paraprake për dosjen penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku trupi gjykues pritet të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.

Një ditë më parë, GJKKO rrëzoi kërkesën e Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë, duke vlerësuar se ekziston rreziku i prishjes së provave dhe ndikimit në procesin hetimor.

Për gjykim është dërguar gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona dhe shoqëri tregtare, të përfshirë në të ashtuquajturën dosje “Veliaj”.

Sipas SPAK, ndaj Erion Veliajt janë ngritur 13 akuza, mes të cilave:

  • korrupsion pasiv,
  • pastrim parash,
  • mosdeklarim dhe fshehje pasurie,
  • shpërdorim detyre,
  • futje e sendeve të ndaluara në burg.

Akuza kryesore lidhet me korrupsionin pasiv në 9 raste, ku SPAK pretendon se Veliaj ka përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani të ndryshme, të cilat në këmbim kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Edhe Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të ardhurash, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Ndërkohë, biznesmenët e përfshirë në dosje akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe për pastrim parash e fshehje të ardhurash.

Në këtë çështje, ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës, ndërsa Fatjon Baci, ish-gardian në burgun e Durrësit, akuzohet se i ka dhënë telefon Erion Veliajt gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

Vendimi i sotëm i GJKKO-së pritet me interes të lartë, pasi do të përcaktojë nëse dosja “Veliaj” do të kalojë në fazën e gjykimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related