Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar për 3 akuza të rënda prej 21 Tetorit të vitit të kaluar, denoncon nga Burgu 313 se është kërcënuar ditën e djeshme brenda qelisë së tij. Reagimi i tij u bë dje me një audio-mesazh në rrjetin social Facebook, teksa njoftimi ishte dhënë më herët edhe nga krahu i tij i djathtë Tedi Blushi, numri dy në Partinë e Lirisë. Meta, teksa e quajti kryeministrin Edi Rama ‘skizofren’, tha se teksa po hante mëngjes, i hapet qelia nr. 5 e burgut dhe aty i vijnë për një kontroll të befasishëm, fizikisht dhe nga ana materiale.
Reagimi i Metës me audio-mesazh
“Unë jam Ilir Meta, banor i qelisë Nr.5, i cili sot (dje) në orën 09:20 po hante mëngjes dhe po dëgjonte fjalimin e një skizofreni, i cili po fliste për standardet europiane që duheshin në fushën e drejtësisë dhe çuditërisht hapet qelia Nr.5 dhe më kërkohet të bëhet një kontroll i posaçëm, për të ndërprerë ngrënien e bukës, për të dalë përjashta. Pasi u bë kontrolli im i imët fizik i trupit, pastaj u bë kontroll i imët për gati 20 minuta në të gjithë qelinë, përfshirë edhe frigoriferin, që nuk kishte ndodhur asnjëherë, por ndodhi rastësisht besoj gjatë fjalimit të këtij skizofreni që fliste për standardet e drejtësisë, për standardet europiane, që i garantonte partia e inceneratorit që nuk ekziston dhe që vetëm Dumani nuk e shikon.
