Presidenti i Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, pritet të largojë Richard Grenell nga posti i drejtuesit të John F. Kennedy Center for the Performing Arts, sipas disa burimeve të cituara nga media amerikane.
Sipas raportimeve të CNN, vendimi vjen në një moment kur institucioni i njohur kulturor pritet të mbyllet për rreth dy vjet për rinovime të mëdha, ndërsa administrata presidenciale kërkon ta rimodelojë atë sipas një vizioni të ri.
Grenell, i cili mori drejtimin e përkohshëm të qendrës në shkurt të vitit 2025, është përballur me polemika të shumta gjatë mandatit të tij. Periudha e drejtimit të tij është shoqëruar me anulime të shfaqjeve të rëndësishme, protesta nga artistë dhe publik, si dhe rënie të shitjeve të biletave dhe vështirësi financiare.
Sipas burimeve pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump ishte i pakënaqur me publicitetin negativ dhe mënyrën se si po menaxhohej institucioni kulturor. Megjithatë, disa zyrtarë kanë theksuar se largimi i Grenell mund të interpretohet edhe si pjesë e një tranzicioni, pasi qendra do të hyjë në fazën e rinovimit.
Grenell njihet si një nga bashkëpunëtorët e hershëm dhe më besnikë të Trump, duke mbajtur poste të rëndësishme në administratën e tij, përfshirë ambasador i SHBA në Gjermani dhe drejtues i përkohshëm i inteligjencës kombëtare.
Roli i Grenell në politikën shqiptare
Emri i Richard Grenell është përmendur shpesh edhe në politikën shqiptare. Ai është konsideruar nga disa si një figurë e afërt me kryeministrin Edi Rama, por edhe si një mbështetës i ish-kryeministrit Sali Berisha në debatet që pasuan shpalljen e këtij të fundit “non grata” nga Departamenti i Shtetit gjatë administratës së Joe Biden.
Në të kaluarën, mbështetës të Berishës shpresonin se Grenell mund të merrte postin e Sekretarit të Shtetit në një administratë të re të Trump, çka sipas tyre mund të ndikonte edhe në rishikimin e vendimeve të mëparshme ndaj figurave politike shqiptare.
Megjithatë, sipas analizave të mediave ndërkombëtare, përfshirë gazetën britanike Daily Mail, ambicia e Grenell për poste të larta në administratë është zbehur për shkak të përplasjeve të brendshme dhe perceptimeve negative brenda establishmentit politik amerikan.
