Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë deklarata të forta lidhur me konfliktin me Iranin, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara e kanë “fshirë nga harta” Republikën Islamike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se Irani është tashmë i shkatërruar dhe se lidershipi dhe kapacitetet ushtarake të tij janë eliminuar. Ai shtoi se Teherani nuk ka më mbrojtje dhe po kërkon një marrëveshje.
“Shtetet e Bashkuara e kanë fshirë Iranin nga harta… lidershipi i tyre është zhdukur, forcat detare dhe ajrore janë shkatërruar”, u shpreh ai.
Në të njëjtin reagim, Trump zhvendosi fokusin edhe në politikën e brendshme amerikane, duke deklaruar se “armiku i radhës” i SHBA-së është, sipas tij, e majta radikale dhe Partia Demokratike.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të tensionuar ndërkombëtar, pas ultimatumit 48-orësh për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe kërcënimeve për sulme ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.
Ndërkohë, situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme, me rrezik të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm.
