Në Uashington zhvillohet sot ceremonia inauguruese e Bordit të Paqes, një nismë e ndërmarrë nga presidenti amerikan Donald Trump, që synon të çojë përpara planin për rindërtimin e Gazës dhe menaxhimin e situatës pas konfliktit.
Takimi nis në orën 09:00 me një mëngjes të përbashkët mes delegacioneve pjesëmarrëse, ndërsa në orën 10:00 presidenti Trump do të mbajë fjalimin hapës dhe do të nënshkruajë një sërë rezolutash që lidhen me planin për Gazën. Ceremonia do të shoqërohet me fjalime nga drejtues të lartë amerikanë dhe personalitete ndërkombëtare të përfshirë në nismë.
Sipas agjendës zyrtare, secili kryetar delegacioni do të mbajë një fjalë të shkurtër, ku pritet të shpallë kontributin e vendit të tij në përpjekjet për rindërtimin dhe stabilizimin e rajonit. Në aktivitet do të flasin gjithashtu Sekretari amerikan i Shtetit, si dhe anëtarë të Bordit Ekzekutiv që do të kenë rol në mbikëqyrjen e menaxhimit të Gazës pas luftës.
Ceremonia përfshin edhe një foto zyrtare në grup përpara largimit të presidentit amerikan, ndërsa takimi do të vijojë me diskutime të mbyllura mes delegacioneve.
Takimi vjen në një moment delikat, pas armëpushimit të ndërmjetësuar muaj më parë dhe mes sfidave për çarmatosjen dhe garantimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme në terren. Administrata amerikane është shprehur se, pavarësisht vështirësive, procesi përpara po vijon dhe se mbështetja ndërkombëtare mbetet kyçe për stabilitetin afatgjatë në rajon.
