Përsëritet i njëjti makth rrugor në aksin Librazhd–Elbasan, ku mijëra qytetarë kanë mbetur sërish të bllokuar në trafik për orë të tëra, pa asnjë zgjidhje dhe pa asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse.
Fluksi i madh i automjeteve që lëvizin drejt juglindjes ka krijuar radhë kilometrike, duke paralizuar totalisht qarkullimin në një nga akset më problematike të vendit. Situata është kthyer në skandal kombëtar, ndërsa qytetarët përballen me stres, vonesa ekstreme dhe mungesë totale organizimi.
Policia Rrugore, sërish inekzistente
Edhe këtë herë, Policia Rrugore është totalisht inekzistente. Nuk ka asnjë patrullë, asnjë efektiv dhe asnjë përpjekje për të menaxhuar trafikun apo për të lehtësuar situatën. Denoncimet e vazhdueshme të qytetarëve duket se kanë rënë në vesh të shurdhër.
Drejtuesit e mjeteve raportojnë se nuk ka asnjë prani policore në asnjë segment të aksit, duke e lënë trafikun të shkojë drejt kaosit total.
Punime pa plan dhe kamionë pa kontroll
Një nga shkaqet kryesore të bllokimit janë punimet rrugore të paorganizuara, të cilat vazhdojnë pa sinjalistikë të qartë dhe pa menaxhim të fluksit. Situatën e përkeqëson edhe lëvizja e pakontrolluar e mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat qarkullojnë në orare piku pa asnjë kufizim.
3–4 orë për pak kilometra
Vetëm një ditë më parë, qytetarëve u janë dashur 3 deri në 4 orë për të përshkuar segmentin Librazhd–Elbasan, ndërsa sot situata vijon të jetë po aq dramatike. Askush nuk mban përgjegjësi dhe askush nuk jep zgjidhje.
Qytetarët të braktisur
Aksi Librazhd–Elbasan është kthyer në simbol të dështimit të menaxhimit rrugor, ku qytetarët ndihen të braktisur dhe të pambrojtur. Ndërkohë që trafiku paralizohet, institucionet heshtin dhe Policia Rrugore mungon.
