Shtëpia e Bardhë ka publikuar fotografi nga rezidenca e presidentit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago, ku ai dhe ekipi i tij monitoruan në kohë reale operacionin “Absolute Resolve”, i cili çoi në kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij në Karakas nga forcat elitare amerikane.
Në pamjet e publikuara, Trump shihet pa kravatë, me sakko dhe këmishë të bardhë, i përqendruar përpara ekraneve ku transmetoheshin zhvillimet e operacionit. Në një prej fotografive, pranë tij ndodhet Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndërsa një tjetër imazh bardhë e zi pasqyron rëndësinë dhe tensionin e momentit.
Sipas deklarimeve zyrtare, presidenti amerikan ka ndjekur çdo fazë të aksionit, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë kombëtare. Trump e përshkroi operacionin si “mahnitës” dhe “një punë të jashtëzakonshme”, duke e krahasuar intensitetin e tij me “një shfaqje televizive”.
Operacioni “Absolute Resolve” konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të SHBA-së në Amerikën Latine në dekadat e fundit dhe ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare, ndërsa publikimi i këtyre pamjeve synon të tregojë rolin e drejtpërdrejtë të presidentit amerikan në drejtimin dhe mbikëqyrjen e aksionit.
