Seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë” u shoqërua me tensione të forta mes prokurorit të SPAK, Behar Dibra, dhe avokates së Altin Ndocit, Elda Zotaj.
Debati nisi pasi mbrojtja pretendoi se organi i akuzës ka fshehur prova që lidhen me çështjen. Prokurori i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur fshehje dhe se çdo material do të vihet në dispozicion. Ndërsa avokatja këmbënguli se provat nuk janë dorëzuar të plota, duke akuzuar prokurorin për mungesë transparence.
Tensioni në sallë u rrit, çka detyroi trupin gjykues të ndërhyjë për të rikthyer qetësinë. Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më 3 mars, kur pritet të vijojë shqyrtimi i provave dhe kërkesave të palëve.
Altin Ndoci, i akuzuar në këtë dosje dhe i shpallur në kërkim që prej janarit, përfaqësohet në proces nga mbrojtja ligjore. Dosja “Plumbi i Artë” mbetet një nga çështjet më të ndjekura penale për shkak të akuzave të rënda dhe numrit të lartë të të pandehurve.
