Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, të fshehur brenda një valixheje udhëtimi. Arrestimi u krye në afërsi të terminalit të autobusëve, në rrugën “Kastriotët”.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor i koduar “Luggage” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në kuadër të punës për goditjen e posedimit dhe tregtimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.
I riu, banues në Bathore, u kap në flagrancë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit, policia gjeti në valixhen që ai transportonte një armë zjarri kallashnikov së bashku me municion luftarak, e cila dyshohet se do të shitej.
Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj 24-vjeçarit u kryen veprimet procedurale përkatëse.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
