Këshilli i mandateve pa vendim për imunitetin e Ballukut pas pesë orësh mbledhje

Data

Pas pesë orësh mbledhje me dyer të mbyllura, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit në Kuvendin e Shqipërisë nuk arriti të marrë një vendim për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Mbledhja u mbyll pa konsensus, ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me provat e paraqitura nga prokuroria.

Në të njëjtën kohë që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorët e çështjes ndodheshin në Kryesinë e Kuvendit për të paraqitur kërkesën për autorizimin e masës së arrestit, zëvendëskryeministrja Balluku mori pjesë në mbledhjen e qeverisë.

Takimi i Këshillit të Mandateve u zhvillua me dyer të mbyllura, me argumentin se dokumentacioni i paraqitur përbën sekret hetimor. Dhjetë deputetët anëtarë të këshillit morën në dorëzim materialet e prokurorisë, të cilat përfshijnë mijëra faqe prova që, sipas SPAK, duhet të shqyrtohen vetëm nga anëtarët e këtij organi dhe jo nga deputetë të tjerë apo nga media.

përplasje politike për afatet

Debatet kryesore gjatë mbledhjes u përqendruan te afati kohor për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë. Mazhoranca argumentoi se rregullorja i jep Kuvendit deri në dy javë kohë për këtë procedurë, afat që sipas saj përfshin edhe pushimet parlamentare, duke e shtyrë vendimmarrjen për në muajin janar.

Nga ana tjetër, opozita e cilësoi çështjen urgjente dhe kërkoi thirrjen e një mbledhjeje të re në fillim të javës së ardhshme. Sipas opozitës, prokuroria ka vlerësuar se tre deri në pesë ditë janë të mjaftueshme për njohjen me provat dhe çdo vonesë rrezikon procesin hetimor.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike, dosje e regjistruar në fund të tetorit 2025.

Në kuadër të këtij hetimi, prokuroria kishte vendosur më herët masa sigurie, përfshirë pezullimin nga funksionet zyrtare dhe ndalimin e largimit jashtë vendit, masa që më pas u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related