Një denoncim tronditës për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe abuzim me pushtetin u bë publik në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. Protagonist i rrëfimit është Kastriot Çako, ish-oficer i lartë i Policisë së Shtetit, i cili deklaron se një thirrje rutinë për “sqarim” përfundoi në një ndalim arbitrar, izolim të paligjshëm dhe rrezik serioz për jetën e tij.
Sipas Çakos, më datë 10, rreth orës 10:33, ai u telefonua nga punonjës të Policisë së Shtetit dhe u ftua të paraqitej në Komisariatin e Policisë Nr. 2 në Tiranë për një çështje pronësie. Duke qenë se komisariati ndodhej pranë vendit ku po punonte, ai u paraqit menjëherë, pa asnjë kundërshtim apo dyshim.
Por ajo që pritej të ishte një procedurë e zakonshme, u shndërrua, sipas tij, në një skenar alarmant. Pas një kontrolli personal dhe sekuestrimit të telefonit, Çako u fut në një dhomë izolimi, e cila u mbyll me shul dhe dry, pa asnjë shpjegim ligjor dhe pa i komunikuar statusin e tij.
“Jam futur në dhomën e izolimit pa bërë asnjë rezistencë. Qëndrova rreth 10–15 minuta. Derën e kishin mbyllur me shul dhe me dry”, rrëfeu ai përballë gazetarit Igli Çelmeta.
Gjatë kohës që ndodhej i izoluar, gjendja shëndetësore e ish-oficerit u përkeqësua ndjeshëm. Ai tregon se filloi të ndihej keq, iu morën mendtë dhe më pas humbi ndjenjat. “Bërtita për ndihmë dhe më pas nuk mbaj mend asgjë. U përmenda fillimisht në dhomën e ndalimit dhe më pas në urgjencën e Spitalit ‘Nënë Tereza’”, deklaroi Çako.
Ai thekson se, para se të futej në izolim, kishte kërkuar të njoftonte familjen, kërkesë që iu lejua vetëm për pak çaste. Gjatë telefonatës, ai arriti të paralajmëronte bashkëshorten dhe t’i kërkonte të njoftonte avokatët, pasi ndiente se po ndalohej në mënyrë të padrejtë.
Në studio dëshmoi edhe bashkëshortja e tij, Rezarta Çako, mjeke me profesion, e cila tregoi se u paraqit menjëherë në komisariat dhe paralajmëroi policinë për gjendjen e rënduar shëndetësore të bashkëshortit. Sipas saj, Çako vuan nga hipertension i rëndë dhe takikardi, probleme të lidhura me stresin e vazhdueshëm nga procese të gjata gjyqësore.
“U paraqita në cilësinë e mjekes dhe i paralajmërova disa herë se gjendja e tij ishte alarmante. Hasëm në një indiferencë totale”, deklaroi ajo. Vetëm pasi Çako humbi ndjenjat, policia u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore.
Rezarta Çako rrëfeu gjithashtu përpjekjet e policisë për ta menaxhuar situatën brenda mureve të komisariatit, duke shmangur ekspozimin publik të ngjarjes. “Më kërkuan ilaçet, sikur unë të isha urgjenca. Kërkova me insistim ambulancën. Kur hyra me ekipin e urgjencës, pashë një gjendje që edhe sot më shkakton rrëqethje”, u shpreh ajo.
Çifti Çako e cilëson ngjarjen si thellësisht tronditëse, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe psikologjik. “Kjo që na ndodhi është një përjetim që do të trondiste çdo qytetar. Policia duhet të jetë në mbrojtje të qytetarit, jo të kthehet në dhunuese”, tha Rezarta Çako.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e ligjit, procedurat e shoqërimit dhe trajtimin e personave me probleme shëndetësore në ambientet e Policisë së Shtetit. Deri në këto momente, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga autoritetet policore lidhur me akuzat e bëra publike.
