Gjatë dekadës së fundit, fushat klasike të studimeve të larta kanë humbur terren në mënyrë drastike. Shkencat humane, artet, degët e arsimit, shkencat sociale kanë parë një përgjysmim të numrit të studentëve ndërmjet 2016-2024. Në të kundërt, inxhinieria, mjekësia dhe degët tyre kanë shënuar rritje dyshifrore të numrit të studentëve në 8 vitet e fundit. Këtë vit, oferta akademike zgjerohet me hyrjen në treg të Institutit të Teknologjisë Rochester (RIT) me programe në informatikë dhe inxhinieri. Sfidat e arsimit të lartë.
Revolucioni teknologjik po orienton me shpejtësi studimet e larta drejt degëve të inxhinierisë, teknologjisë, informatikës, etj., kudo në botë, teksa edhe Shqipëria është në këtë trend.
Numri i studentëve pësoi tkurrje me 11.8% ndërmjet 2016 dhe 2024, si pasojë e rënies së popullsisë së re në moshë, por në degët e inxhinierisë, numri i tyre u rrit me 15%, referojnë të dhënat zyrtare.

Në ndjekje të këtyre tendencave po rritet edhe oferta akademike për degët që kanë lidhje me teknologjinë.
