Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pushuar çështjen penale në ngarkim të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili po hetohej për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me transferimet e punonjësve të policisë në qarkun e Beratit.
Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Çela, pas kërkesës së paraqitur nga prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu. Sipas organit të akuzës, nga hetimet nuk u gjetën prova që të vërtetonin kryerjen e veprës penale për të cilën ishte regjistruar kallëzimi penal ndaj Rrumbullakut.
Hetimi kishte të bënte me rreth 20 transferime të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilat ishin kontestuar si të paligjshme nga disa prej efektivëve të përfshirë. Fillimisht çështja ishte regjistruar nga Prokuroria e Beratit, por më pas dosja u transferua në SPAK për shkak të kompetencës, pasi objekti i hetimit përfshinte drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Në nëntor të vitit të kaluar, ish-drejtori i Policisë së Shtetit ishte marrë në pyetje për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme, në cilësinë e personit në dijeni, lidhur me rrethanat e transferimeve të kryera.
Me vendimin e GJKKO-së për pushimin e çështjes, procedimi penal ndaj Muhamet Rrumbullakut mbyllet, pasi SPAK vlerësoi se veprimet e kryera nuk përbëjnë elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
