Ministrja Ibrahimaj: Ekonomia në 2025 u rrit me 3.75%, inflacioni 2.2%, borxhi publik zbriti në 53.4%

Data

Ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv edhe gjatë vitit 2025, duke shënuar rritje ekonomike, stabilitet fiskal dhe përmirësim të treguesve makroekonomikë. Të dhënat u prezantuan nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila theksoi se aktiviteti i sektorit privat ka qenë në rritje, pavarësisht pasigurive gjeopolitike globale.

Sipas ministres, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e tretë të vitit 2025 është rritur me 3.75 për qind, një normë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe e rajonit. Ajo theksoi se ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri edhe pas periudhës post-pandemike.

Inflacioni gjatë vitit 2025 është regjistruar në nivelin 2.2 për qind, duke qëndruar brenda objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Ministrja nënvizoi se kjo normë tregon kontroll të çmimeve dhe stabilitet të tregut të brendshëm.

Një tjetër tregues pozitiv, sipas Ibrahimajt, është rënia e borxhit publik, i cili në tremujorin e tretë të vitit ka zbritur në 53.4 për qind të PBB-së. Sipas saj, ky nivel borxhi garanton stabilitet makroekonomik dhe krijon hapësira për politika fiskale stimuluese në të ardhmen.

“Borxhi publik është një nga treguesit kryesorë të stabilitetit fiskal. Reduktimi i tij na lejon të hartojmë politika dhe stimuj fiskalë që nxisin më tej ekonominë dhe investimet”, u shpreh ministrja.

Rritja ekonomike është reflektuar edhe në të ardhurat buxhetore. Për 11-mujorin e vitit 2025, ato kanë arritur në 688 miliardë lekë, ose 6.3 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas ministres, kjo rritje ka ardhur pa rritje të barrës fiskale, duke dëshmuar zgjerimin e bazës ekonomike dhe uljen e informalitetit.

Pozitive paraqitet edhe panorama e sipërmarrjes në vend. Numri i bizneseve aktive është rritur me 17 mijë e 486 subjekte krahasuar me vitin 2024, çka sipas Ibrahimajt tregon një klimë biznesi më të favorshme dhe rritje të aktivitetit ekonomik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related