Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e tre jetëve është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në zonën e njohur si Bypass.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë dy automjete, një mjet tip Volkswagen dhe një Mercedes Benz. Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë humbur jetën dy persona që udhëtonin me automjetin Volkswagen, shtetasit Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruci, 28 vjeç, të cilët nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra.
Në automjetin tjetër, tip Mercedes Benz, udhëtonin dy shtetas të tjerë. Njëri prej tyre, Martin Dulaj, 26 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa shtetasja Arsida Demiri, 20 vjeçe, është transportuar drejt Spitali i Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Burime mjekësore bëjnë me dije se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, zjarrfikësja dhe autoambulanca, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve dhe normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa dyshohet se shpejtësia dhe kushtet e rrugës mund të kenë ndikuar në këtë ngjarje tragjike.
Kjo ngjarje rikthen edhe një herë vëmendjen te siguria rrugore dhe nevoja për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në akse me rrezikshmëri të lartë.
