Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me zjarrin tragjik që shpërtheu gjatë natës së Vitit të Ri në resortin e skive në Crans-Montana, një nga destinacionet më ekskluzive të Zvicrës. Ngjarja e rëndë la pas dhjetëra viktima dhe rreth 100 persona të plagosur, shumica me djegie të rënda.
Sipas autoriteteve zvicerane, ngjarja po trajtohet si aksident zjarrvënieje dhe jo si sulm terrorist. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet janë ende në fazë të hershme dhe përcaktimi i shkakut përfundimtar do të kërkojë kohë.
Megjithatë, dëshmitë e të pranishmëve hedhin dritë mbi momentet dramatike që çuan në përhapjen e shpejtë të flakëve. Sipas dy dëshmitarëve okularë, zjarri dyshohet se ka nisur nga fishekzjarret e vendosura mbi shishe shampanje, të përdorura si pjesë e spektaklit të festës.
“Kishte kamariere që mbanin shishe shampanje me fishekzjarre sipër dhe i afruan shumë pranë tavanit. Tavani mori flakë pothuajse menjëherë”, ka deklaruar një prej dëshmitarëve.
Një tjetër dëshmitar ka shtuar se në një moment, një kamariere ishte ngritur mbi supet e një tjetre, ndërsa shishja me fishekzjarrë ndodhej vetëm disa centimetra larg tavanit.
“Sapo tavani u përfshi nga flakët, brenda rreth dhjetë sekondash i gjithë lokali u mbulua nga zjarri. Njerëzit filluan të vraponin duke bërtitur për të dalë jashtë”, ka treguar ai.
Sipas dëshmitarëve, në momentin e shpërthimit të zjarrit brenda lokalit ndodheshin të paktën 200 persona, çka e bëri evakuimin jashtëzakonisht të vështirë për shkak të hapësirave të ngushta dhe tymit të dendur.
Autoritetet vijojnë punën për identifikimin e viktimave dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie që ka tronditur Zvicrën dhe opinionin publik ndërkombëtar.
